• AEAUL

Diploma jote


©️ Université de Paris

Rruga e studimeve nuk është aspak e lehtë për një individ, kjo nuk është një gjë e re. Me këtë që do të shkruaj dua të ndaj me studentët tjerë eksperiencën time studentore në diasporë.

Të qenurit fëmijë mërgimtar përmbledh disa pika që shumë shpesh konsiderohen si të jenë normale dhe që shumica nuk janë as në vetëdije për egzistencën e tyre.

Për shembull, një prej asaj është ndjenja e fajësisë që ne, fëmijet e prindërve tanë, patëm një jetë më të mirë se ata. Patëm më shumë mundësi zhvillimi, më shumë kushte ekonomike dhe më e rëndësishmja e kësaj, e patëm një jetë të sigurtë mbase nuk përjetuam luftën (ose shumë pak për disa). Nuk e patëm detyrimin që t’a mbajmë financiarisht një familje të gjallë në tokën ëmë, përkundrazi ne patëm mundësinë që të jetojmë për vetveten dhe jo t’a sakrifikojmë veten.

Shpesh dhe shumë nga ne kemi dëgjuar fjalët si “Me i pas pas kushtet që i keni ju, veç me krye n’libra kisha ndejt ” ose “Veç qëto msime i keni, kurgjo tjetër”. Në sipërfaqe janë fjalë të kota, në bërthamë janë fjalë që krijojnë një shtypje të heshtur dhe jo pa pasoja. Pikërisht këto thënje vijnë e ushqejnë ndjenjën e fajësisë që zhvillohet ndal ngadal. Kjo ndjenjë mund të ketë dy funksione: e para, motor zhvillimi për të arritur, ndërsa e dyta e heq të drejtën për të deshtuar. Pse të dështosh kur i ke të gjitha kushtet ? Andaj, nëse dështon si student ke dështuar plotësisht si njeri sepse nuk arrite t’i bëje ato që prindërit tu i bënin, ndërsa ata konsiderohen si heronjë, ti je në barazim me zero sepse vetëm një gjë nuk mundje t’a arritje edhe pse i kishe të gjitha kushtet.

Pika e dytë është që studimet e larta janë të pritura nga prindërit dhe të afërmit. Njëkohësisht, ndërsa në njërën anë pritshmëritë për arritje akademike nuk pushojnë, në anën tjetër pritshmëria për të mbetë i njejti person mbizotëron, nuk tolerohet një mendim ndryshe nga ai i familjes. Duke qenë se studimet kanë ndikim mbi njeriun, qëndrimi “i njejtë” i një studenti nuk është i mundur, dhe si pasojë e kësaj krijohet një konflikt i papushueshëm tek studenti, i duhet një adaptim në vazhduëshmëri për të ta përmbushur ndjenjen e përkatësisë në të dy palët dhe nga kjo mundë të lindë “vetmia e dyfishtë” (Lahire, 1998) e cila nënkupton që studenti nuk ndjehet i kuptuar jo vetëm në shtëpi por edhe në studime.

Pastaj arrin në pikën e diplomimit ku krijohet një mendim shumë i ashpër mbi studentin. Një Bachelor apo Master në mjekësi ose në fushën e juridikut njëherë është idealizuar tejet shumë dhe pastaj kur diplomon ndodhë e kunderta. Diplomove ? Urime. Fitove epitetin e njeriut “mendjemadh” sepse rrethi ytë e ndjenë vetveten më të ulet se ti, edhe po ta kesh të njejtën sjellje ndaj tyre, ti prap do të ngelësh një njeri mendjemadh sepse realizove "ëndrrat e tua” kurse ata jo. Në anën e studentit, kjo mund të përjetohet si gjë e vertët sepse hy në lojë “konflikti i besnikërisë” (Douieb, 2017) i cili nënkupton një tradhëti ndaj familjes nëse studenti arrin dhe del më intelektual se ata.

Këto mendime disa i kemi pasur, disa jo, mirëpo, asnjëherë me zë të lartë sepse nuk e marrim të drejtën për ta shprehur haptas që nganjëherë pritshmëritë e familjeve tona janë përtej imagjinatës dhe përtej mundësive tona. Ndjenja e fajësisë nuk na lë vend për të shprehur kurrfarë vështirësije, dhe shtuar kësaj sindromi i mashtruesit[1] që zhvillohet tek shumë prej nesh gjatë studimëve nuk lë vënd për t’i përvetësuar arritjet tona.

Qëllimi i kësaj nuk është që t’i dënojmë prindërit tanë, përkundrazi, është që t’i hapim temat tabu që i kemi dhe të vetëdijësohemi mbi faktin që studimet nuk janë vetëm fakte konkrete si “veç të mësojmë” por që fshehinë dinamika të ndërlikuara që pasi të kuptohen lehtësojnë shumë gjëra.

[1] Sindromi i mashtruesit është kur një person nuk ndjen vetveten të denjë për atë që ka arritur, ose një person që tregon nje modesti shumë të madhe ndaj sukseseve t’veta madje dhe i zvogëlon ato dhe mendon që t’gjitha arritjet e tija janë thjesht punë fati dhe që s’do të ndodhin më. Ose se të gjithë do e zbulojnë që në faktë nuk di asgjë (Passeport santé).



Autori : Anonim

Burimet

Douieb, G. (2017). Chapitre 2. Le conflit de loyauté : revue de la littérature. Dans : Roland Coutanceau éd., Conflits de loyauté: Accompagner les enfants pris au piège des loyautés familiales (pp. 19-24). Paris: Dunod.


Lahire, B. (1998). La réussite scolaire en milieux populaires ou les conditions sociales d’une schizophrénie heureuse. Ville-Ecole-Intégration, n° 114, pp. 101-109.

L'équipe PasseportSanté. (2016, décembre). Syndrome de l’imposteur. Passeport santé. https://www.passeportsante.net/fr/psychologie/Fiche.aspx?doc=syndrome-imposteur


Périer, P. (2015). L’enfant entre deux mondes : disqualification parentale et autonomisation scolaire. Les Sciences de l'éducation - Pour l'Ère nouvelle, vol. 48(1), 105-126.

https://doi.org/10.3917/lsdle.481.0105


Fotografia : https://etudes-doctorales.u-paris.fr/diplome-de-doctorat


137 vues0 commentaire

Posts récents

Voir tout